HAMARTIOLOGJIA

(Doktrina e Mëkatit)

 

 

 

Pasqyra për kapitullin V

HAMARTIOLOGJIA

 

I. Origjina e mëkatit.

      A.   Hyrja e mëkatit në gjithësi.

      B.   Paraqitja e mëkatit në racën njerëzore.

 

II. Realiteti mëkatit.

      A.   Shkrimi shpall faktin e mëkatit.

      B.   Natyra shpall faktin e mëkatit.

      C.   Ligji zbulon faktin e mëkatit.

      D.   Përvoja vërteton faktin e mëkatit.

      E.    Njeriu rrëfen faktin e mëkatit.

 

III. Natyra e mëkatit.

      A.   Mendimi modern për mëkatin.

      B.   Mendimi biblik për mëkatin.

      C.   Thënia biblike mbi mëkatin.

      D.   Përkufizime teologjike për mëkatin.

      E.    Përmbledhja e Shkrimit në lidhje me mëkatin.

 

IV. Shtrirja e mëkatit.

      A.   Në qiell.

      B.   Në tokë.

 

V. Rrafshet e mëkatit.

      A.   Si veprim.

      B.   Si gjendje.

      C.   Si natyrë.

 

VI. Ndëshkimi i mëkatit.

      A.   Ndëshkimi natyror.

      B.   Ndëshkimi pozitiv.

 

 

 

 

 

Kapitulli V

HAMARTIOLOGJIA

 

 

Fjala “hamartiologji” vjen nga fjala greke “hamartia, që do të thotë mëkat, pra, hamartiologjia është doktrina mbi mëkatin.

 

 

I. Origina e Mëkatit

 

      A. Hyrja e mëkatit në gjithësi.

      Tek Ezekieli 28:11-19 shohim që ishte Luciferi që e solli mëkatin në gjithësi: “Zemra jote ishte ngritur për bukurinë tënde; ke korruptuar diturinë tënde për shkak të shkëlqimit tënd. Unë po të hedh për tokë, po të vë përpara mbretërve, me qëllim që të të shohin” (vargu 17). Nuk pati asnjë mëkat para se të mëkatonte Luciferi që u bë Djalli, Satani. Mëkati tij, i pari në gjithësi, ishte kur ai zgjodhi vullnetin e tij mbi atë të Perëndisë, duke dëshiruar të jetë i barabartë me Perëndinë. Pse e lejoi Perëndia mëkatin të hynte në gjithësi? Kjo është një pyetje së cilës Perëndia nuk i është përgjigjur akoma.

 

      B. Paraqitja e mëkatit në racën njerëzore.

      Përderisa ka mëkat në racën njerëzore, duhet të ketë pasur një fillim të mëkatit. Në qoftë se nuk ka një fillim të mëkatit, atëherë njeriu u krijua në mëkat. Sipas kësaj, del që Perëndia është krijuesi i mëkatit, por kjo nuk është e vërtetë. Mëkati erdhi në racën njerëzore nëpërmjet mashtrimit dhe mosbindjes, nxitur prej mosbesimit. “Dhe nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje” (1 Timoteu 2:14). Pse e lejoi Perëndia njeriun të mëkatojë? E vetmja përgjigje e mundur që mund të japim është Efesianët 2:7: “për të treguar në epokat që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezus”.

 

 

 

II. Realiteti i Mëkatit

 

      A.   Shkrimi shpall faktin e mëkatit. “Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). “Por Shkrimi i mbylli të gjitha gjërat nën mëkatin, që t’u jepej besimtarëve premtimi nëpërmjet besimit të Jezus Krishtit” (Galatasve 3:22).

 

      B.   Natyra shpall faktin e mëkatit. “Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim” (Romakëve 8:22).

 

      C.   Ligji zbulon faktin e mëkatit. “Sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit” (Romakëve 3:20). Apostulli Pal mendoi që ishte i lirë nga mëkati, derisa ai të shikonte në pasqyrën e ligjit të Perëndisë: “Mëkatin unë nuk do ta kisha njohur, veç se me anë të ligjit; sepse unë nuk do ta kisha njohur lakminë, po të mos thoshte ligji: ‘Mos lakmo!’” (Romakëve 7:7b).

 

      D.   Përvoja vërteton faktin e mëkatit. Përvojat e Moisiut, Davidit, Pjetrit dhe Gjonit tregojnë faktet e mëkatit. Madje, edhe përvoja juaj vetjake e provon këtë gjë.

 

      E.    Njeriu rrëfen faktin e mëkatit.

         1. Shenjtorët e kanë pranuar. Ishte vetë Jobi që tha: “Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem”. Isaia deklaroi: “I mjeri unë, unë jam i humbur”. Danieli, për të cilin nuk është përmendur asnjë shenjë mëkati, tha: “çehrja e bukur ndryshoi në të zbehtë dhe forcat e mia u ligështuan”. Pjetri bërtiti: “Largohu prej meje, unë jam njeri mëkatar”. Pali theksoi: “Jezus Krishti erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari”. Martin Luteri tregoi: “Unë jam më shumë i frikësuar nga zemra ime sesa nga Papa dhe të gjithë Kardinalët”. Dwight Moody tha: “Njeriu që kam më shumë probleme me të është ai që ecën nën kapelen time”.

         2. Mëkatarët e kanë pranuar. Shkrimi është i mbushur me rrëfimin e mëkatarit dhe mëkatit të tij. Faraoni shpalli: “Këtë herë unë mëkatova” (Eksodi 9:27b). Akani u përgjigj: “Në të vërtetë jam unë që kam mëkatuar” (Jozueu 7:20b). Balaami pranoi: “Kam mëkatuar” (Numrat 22:34b). Madje edhe Juda, i cili tradhtoi Zotin, tha: “Kam mëkatuar” (Mateu 27:4).

 

 

III. Natyra e Mëkatit

 

      A. Mendimi modern për mëkatin.

         1. Shoqëria e quan pakujdesi.

         2. Studiuesit e emërtojnë si padituri.

         3. Evolucionistët thonë se është tipar i kafshës.

         4. Feja “Shkenca e krishterë” mëson se është mungesë në të mirën.

         5. Njeriu mishor e shfajëson atë si dobësi të pafajshme.

         6. Teologët e rinj shpallin që është thjesht egoizëm.

 

      B. Mendimi biblik për mëkatin.

         1. Mëkati është humbje e synimit. “Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Shihni gjithashtu Romakët 5:12. Mëkat do të thotë “të humbësh synimin hyjnor të Perëndisë”.

         2. Mëkati është shkelje. “Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelje e ligjit” (1 Gjoni 3:4). Shkelja e ligjit mund të jetë e vullnetshme ose e pavullnetshme. Që të dyja janë mëkat. Pati mëkat përpara ligjit, por nuk pati shkelje. Shihni Numrat 4:15; Jozueu 7:11,15; Isaia 24:5; Danieli 9:11; Osea 6:7; 8:1.

         3. Mëkati është shtrembërim i asaj që është e drejtë. “I drejtë” do të thotë në vijë të drejtë. Mëkati është shtrembërimi i asaj që ishte një herë në vijë të drejtë. “Kur Davidi pa engjëllin që godiste popullin, i tha Zotit: ‘Ja, unë kam kryer një mëkat, kam vepruar në mënyrë të padrejtë, por këto dele ç’kanë bërë? Prandaj dora jote të drejtohet kundër meje dhe kundër shtëpisë së atit tim!” (2 Samueli 24: 17). Shihni gjithashtu Romakëve 1:18; 6:13; 2 Thesalonikasve 2:12; 2 Pjetri 2:15; 1 Gjoni 5:17.

         4. Mëkati është rebelim kundër Perëndisë. “Dëgjoni; o qiej; dhe dëgjo, o tokë, sepse Zoti ka folur: ‘Kam edukuar fëmijë dhe i rrita, ata u rebeluan kundër meje’” (Isaia 1:2). Shihni edhe 2 Thesalonikasve 2:4, 8.

         5. Mëkati është një borxh. “Falna borxhet tona, ashtu si ua kemi falur edhe ne borxhlinjve tanë” (Mateu 6:12, CHC). Shihni gjithashtu Luka 11:4. Fjalët “detyrë” (Luka 17:10) dhe “duhet” (Gjoni 13:14 dhe 2 Thesalonikasve 2:13) janë të dyja nga e njëjta fjalë greke që përcakton borxhin.

         6. Mëkati është mosbindje. Mëkati është mungesë e përgjigjes ndaj Perëndisë. “Në të cilat ecnit më parë sipas jetës së kësaj bote, duke ndjekur prijësin që sundon mbi ajrin, frymën që tani po vepron në bijtë e mosbindjes (Efesianëve 2:2, CHC). Shihni gjithashtu Efesianëve 5:6 dhe Gjoni 3:36.

         7. Mëkati është shmangje nga kërkesa e Perëndisë. Kjo nënkupton një rënie; çdo fyerje kundër Perëndisë është një rënie. Mëkati është gjithmonë një rënie që të lëndon, “por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja” (Mateu 6:14). Shihni gjithashtu Galatasve 6:1; Romakëve 5:15-20.

         8. Mëkati është mosbesim. “Ai që beson në Birin e Perëndisë ka këtë dëshmi në vetvete; ai që nuk beson te Perëndia, e ka bërë atë gënjeshtar, sepse nuk i besoi dëshmisë që Perëndia dha për Birin e tij” (1 Gjoni 5:10).

         9. Mëkati është paudhësi ose paperëndishmëri. “Ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi” (Romakëve 4:5). “Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët” (Romakëve 5:6). Shihni për këtë edhe 1 Timoteut 1:9; 1 Pjetri 4:18; 2 Pjetri 2:5,7; Juda 4,15.

         10.  Mëkati është vepra e mishit. Me këtë kuptojmë një veprim të gabuar ndaj rregullit moral të gjithësisë. “Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, sikurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë” (Galatasve 5:19-21). Shihni gjithashtu Kolosianëve 3:5-9 dhe Marku 7:19-20.

     

      C. Thënia biblike e mëkatit.

      “Çdo paudhësi është mëkat; por ka mëkat që nuk çon në vdekje” (1 Gjoni 5:17). Shihni gjithashtu 1 Gjoni 3:4; Fjalët e Urta 14:21; 21:4; 24:9; Romakëve 3:23; 6:23; 1 Samueli 15:23; Jeremia 3:25; 14:7; Jakobi 2:9; 4:17; Romakëve 14:23.

     

      D. Përkufizime teologjike për mëkatin.

         1. Mëkati është shkelje ose mungesë e njëjtësimit me ligjin e Perëndisë.

         2. Mëkati është paplotësi dashurie ndaj Perëndisë dhe njeriut.

         3. Mëkati është pëlqim i vetes më shumë se i Perëndisë.

         4. Mëkati është mosbindje (mosnënshtrim).

         5. Mëkati është mungesa e njëjtësimit me Perëndinë ose ligjet e Tij morale në veprim apo gjendje.

         6. Mëkati është ajo që nuk duhet të jetë.

     

      E. Përmbledhja e Shkrimit në lidhje me mëkatin.

         1. Ndaj Perëndisë.

             a.   Rebelim. “Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake” (1 Samueli 15:23a).

             b.   Dështim për ta dashur Perëndinë në mënyrën më të lartë. “Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde” (Ligji i Përtërirë 6:5).

         2. Ndaj ligjit hyjnor.

             a.   Shkelje e vullnetshme. “Por ai që kryen një mëkat me qëllim, qoftë i lindur në vend apo i huaj, fyen Zotin; ky njeri do të shfaroset në mes të popullit të tij” (Numrat 15:30).

             b.   Dhunim nëpërmjet padijes. “Në qoftë se është një person i vetëm që kryen mëkatin nga padituria, ai të ofrojë një dhi motake si flijim për mëkatin” (Numrat 15:27). Shihni edhe Hebrenjve 9:7.

         3. Ndaj njeriut.

             a.   Padrejtësi. “Nuk do të mundosh fqinjin tënd dhe as do ta vjedhësh; mëditjen e punëtorit mos e mbaj te ti deri në mëngjesin vijues” (Levitiku 19:13).

             b.   Dështim për ta dashur atë si vetveten. “Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin tënd si veten tënde. Unë jam Zoti” (Levitiku 19:18).

         4. Ndaj vetes.

             a.   Egoizmi. “Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?” (Mateu 16:26).

             b.   Paudhësi (shthurje). “Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat” (Psalmi 51:5).

 

 

IV. Shtrirja e Mëkatit

 

      A. Në qiell.

      Shkrimet shfaqin faktin që si mëkati, ashtu edhe shpëtimi filluan në qiell dhe erdhën në tokë. Mëkati filloi në qiell me rënien e Satanit (Ezekieli 28). Shpëtimi është plotësuar në qiell me punën ndërmjetësuese të Krishtit (Hebrenjve 9:24).

 

      B. Në tokë.

         1. Bota e perimeve. “Pastaj i tha Adamit: ‘Me qenë se dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar duke thënë: <<Mos ha prej saj>>, toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd, ti do të hash frutin e saj me mund tërë ditët e jetës sate. Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore dhe ti do të hash barin e fushave’” (Zanafilla 3:17-18). Isaia 55:13 tregon faktin e bekuar që mallkimi do të hiqet nga bota e perimeve kur vjen Krishti: “Në vend të ferrave do të rritet selvia, në vend të hithrave do të rritet mersina; kjo do të jetë për Zotin një titull lavdie, një shenjë e përjetshme që nuk do të shkatërrohet”.

         2. Bota e kafshëve. Përpara rënies së njeriut, nuk pati ndonjë kafshë mishngrënëse. Isaia 11:6-9 na tregon që ky mallkim do të hiqet me ardhjen e dytë të Krishtit: “Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë. Lopa do të kullosë bashkë me arushen, të vegjëlit e tyre do të rrinë bashkë dhe luani do të ushqehet me kashtë si kau. Foshnja e gjirit do të lozë mbi vrimën e gjarpërit dhe fëmija i zvjerdhur do të vërë dorën e tij në çerdhen e nëpërkës. Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin”.

         3. Raca e njerëzimit.

             a.   Gjithëpërfshirja e mëkatit. Të gjithë njerëzit janë mëkatarë: “sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23).

             b.   Plotësia e mëkatit. Njeriu është mëkatar: trupi, shpirti dhe fryma e tij. “Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një … nuk ka druajtje të Perëndisë para syve të tyre … Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t’i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë” (Romakëve 3:12, 18-19).

 

 


 

V. Rrafshet e Mëkatit

 

      A. Si veprim. Njeriu kryen mëkat me sjelljen e tij.

      B. Si gjendje. Njeriut i mungon drejtësia.

     

      C. Si natyrë. Njeriu është ngjizur në mëkat, ka lindur në mëkat dhe është, për pasojë, mëkatar nga natyra.

 

 

VI. Ndëshkimi i Mëkatit

 

      A. Ndëshkimi natyror.

      Kjo mund të ilustrohet më së miri me anë të shembullit të një fëmije, të cilit i ishte ndaluar të hante nga një ushqim i caktuar. Ai nuk u bind dhe hëngri shumë, dhe pastaj u sëmur. Pasoja natyrore e mosbindjes së tij ishte sëmundja. Ndëshkimi natyror i mëkatit është sëmundje, zhgënjim dhe vdekje fizike.

     

      B. Ndëshkimi pozitiv.

      Për të vazhduar me shembullin e mësipërm, zbulojmë që ndëshkimi natyror është sëmurja e fëmijës. Ndëshkimi pozitiv është se fëmijën e rrahu i ati. Ndëshkimi pozitiv i mëkatit është përshkruar si më poshtë:

         1. Vdekja. “Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezus Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 6:23). Vdekje, në Shkrimin e Shenjtë nuk do të thotë asgjësim ose shkatërrim i plotë. Nuk ka asnjë vend në Bibël ku të zëvendësohet fjala “vdekje” me “asgjësim”.

             a. Vdekja frymërore. “Ndërsa ajo që jeton e shthurur, ndonëse rron, është e vdekur” (1 Timoteu 5:6).

             b. Vdekja e përjetshme. “Pastaj vdekja dhe Hadesi u flakën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë” (Zbulesa 20:14). “Kurse juve, të munduarve, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezus Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet, në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezus Krisht. Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij” (2 Thesalonikasve 1:7-9). Shihni gjithashtu Zbulesa 20:12; 21:8. Nuk pati vdekje para se mëkati të vinte në jetën e njeriut. Njeriu u krijua që të banonte përjetësisht me Perëndinë. Vdekja thuhet se “u shtri tek të gjithë njerëzit” (Romakëve 5:12). Fjala “u shtri” (në greqisht dierkomai) përkthehet “tejshpoi” tek Luka 2:35; “kaloj­ë” Mateu 19:24 dhe “shkuan nëpër” në 1 Korintasve 10:1.

         2. I humbur. “Kur isha me ata në botë, unë i kam ruajtur në emrin tënd; unë i kam ruajtur ata që ti më ke dhënë dhe askush nga ata nuk ka humbur, përveç birit të humbjes, që të përmbushej Shkrimi” (Gjoni 17:12). Fjala “humb” është e njëjtë me “humbas” (Gjoni 3:16) dhe “shkatërroj” (Mateu 10:28, CHC).

         3. I dënuar. “Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë” (Gjoni 3:18). Fjala “dënim” është një term i ligjshëm dhe tregon një vendim juridik. Pikërisht kjo fjalë “dënim” është edhe tek Gjoni 5:29 dhe “gjyq” tek Mateu 11:22, 24; 2 Pjetri 2:4, 9; 3:7; 1 Gjoni 4:17; Juda 6.

         4. Faj. “Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t’i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë” (Romakëve 3:19).

         5. Humbje. “Ju veç, silluni në mënyrë të denjë në ungjillin e Krishtit, që, kur të vij e t’ju shoh, ose nga larg kur s’jam aty, të dëgjoj për ju se qëndroni fort në një frymë të përbashkët, duke luftuar bashkë me një shpirt për besimin e ungjillit, duke mos u lënë të trembeni në asnjë gjë nga kundërshtarët; kjo është për ta një provë humbjeje, kurse për ju shpëtimi, edhe kjo nga ana e Perëndisë” (Filipianëve 1:27-28). Shihni edhe Gjoni 17:12; 2 Thesalonikasve 2:3; Hebrenjve 10:39; 2 Pjetri 3:7; Zbulesa 17:8,11. Po kjo fjalë “humbje” është përkthyer shkatërrim tek Mateu 7:13: “Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të”. Shihni gjithashtu Romakëve 9:22; Filipianëve 3:19; 2 Pjetri 3:16. (Në Dhjatën e Re, fjala “shkatërrim” do të thotë shkretim). Tek Mateu 26:8 është përkthyer shpenzim: “Kur e panë këtë gjë, dishepujt e tij u zemëruan dhe thanë: ‘Përse gjithë ky shpenzim i kotë?’”. Fjala “humbas” tek Mateu 9:17 është e njëjta fjalë me “rrënim”: “Dhe as nuk shtihet vera e re në kacekë të vjetër; përndryshe kacekët shpohen, vera derdhet dhe kacekët humbin; por shtihet vera e re në kacekë të rinj, kështu që ruhen të dy”.

         6. Ndëshkimi. “Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm dhe të drejtët në jetën e përjetshme” (Mateu 25:46). Ka një ndryshim midis Shkrimit të mësipërm dhe Hebrenjve 12:6: “sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen”. Ndëshkimi është për mëkatarin, qortimi për shenjtorin.

         7. I përjetshëm, i pafund. “Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme” (Mateu 25:46). Shihni gjithashtu Juda 6; 2 Thesalonikasve 1:9; Zbulesa 20:10; 14:11.

         Disa thonë që fjalët “i pafund” dhe “i përjetshëm” kanë kuptimin një gjatësi jete, një kohë, gjatësia e një kohe. Me fjalë të tjera, ata thonë që mëkatarët fajtorë do të durojnë flakët e zjarrit vetëm për një kohë. Pasi të jenë pastruar, ata do të shijojnë hare të përjetshme me shenjtorët e tjerë të Perëndisë. Ne shtojmë edhe këtë: “Në qoftë se ferri dhe ndëshkimi nuk janë përjetësisht, atëherë nuk ka diçka që quhet jetë e përjetshme apo shpëtim i përjetshëm”. E njëjta fjalë “i pafund” dhe “i përjetshëm” është e përdorur për Perëndinë. “Sa më tepër gjaku i Krishtit, i cili nëpërmjet Frymës së përjetshme ia dha veten e Vet të panjollosur Perëndisë, do të pastrojë ndërgjegjen tonë nga veprat që çojnë në vdekje, që ne t’i shërbejmë Perëndisë së gjallë!” (Hebrenjve 9:14, CHC). “Zbulesa e misterit … tani u shfaq e u zbulua me anë të Shkrimeve të profetëve, sipas urdhërimit të Perëndisë të përjetshme dhe u njoh ndër të gjitha kombet, për t’i sjellë në dëgjesën e besimit” (Romakëve 16:26). Në qoftë se ndëshkimi në ferr për të dënuarit nuk është i përjetshëm, atëherë shpëtimi nuk është i përjetshëm dhe Perëndia nuk është i përjetshëm! Por Perëndia është i përjetshëm! I tillë është edhe shpëtimi, i përjetshëm; i përjetshëm është edhe ndëshkimi.